Të hënën nis viti i ri shkollor, Ministria e Arsimit ende nuk i ndan mjetet për librat

Vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, ende nuk janë ndarë mjetet për subvencionimin e nxënësve, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar se kur pritet të ekzekutohen pagesat për prindërit dhe kujdestarët që kanë aplikuar përmes platformës e-Kosova.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, me një status ka folur për numrin e aplikimeve, por jo për datën se kur do të dalin mjetet financiare.

Megjithatë, përkundër këtyre zhvillimeve, mbetet e paqartë kur saktësisht do të ndahen mjetet, një çështje kjo që shqetëson shumë familje, veçanërisht duke pasur parasysh afërsinë me fillimin e vitit të ri shkollor.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për IndeksOnlinen ka ngritur shqetësime serioze për vonesat me tekstet shkollore.

“Problemi duket se do të jetë ai i viteve të kaluara, është fjala tek tekstet shkollore, ngase edhe duke e parë se dy vitet e kaluara shkuan shumë keq dhe u humbën një muaj e më shumë mësim duke pritur që të furnizohen të gjithë nxënësit me libra. Ministrja në shkuarje z. Arbërie Nagavci bashkë me stafin e vet e përsëritën gabimin si për inat. Mund t’i falet pse ndodhi herën e parë pasi mund të ketë menduar se mund të ketë efekt të mirë, mirëpo u pa që kishte vonesa, kishte prind që kishte prindër me xhirollogari të bllokuara. Kishte telashe të ndryshme me tekste shkollore, një varg problemesh do të përsëriten edhe tani”, shtoi ai

Sipas Jasharajt, mësimdhënësit do të përballen me vështirësi nëse nxënësit nuk furnizohen me kohë me libra.

“Shpërndarja e të hollave është vonuar, dedikuar për tekstet shkollore. Mësimdhënësit do të jenë në hall, sepse nuk mund të fillojnë mësimin derisa të gjithë nxënësit të furnizohen me libra”, theksoi ai.

Lexo edhe:  43-vjeçari i kërkuar për dhunë në familje arrestohet në Aeroportin e Prishtinës, dërgohet në mbajtje