Tatuazhi ‘Katana 138’ i Mirlind Dakut, bashkëshortja e Agim Ramadanit: Ai nuk është vetëm heroi im, qindra djem e kanë në trup

“Katana 138”. Ky ishte tatuazhi që Mirlind Daku e tregoi pas festës dhe heqjes së fanellës me golin e dytë shënuar kundër Polonisë, në fitoren që Kombëtarja shqiptare mori 2-0 kundër Polonisë në “Air Albania”.

Tatuazhi drejtuar dëshmorit të UÇK-së Agim Ramadani bëri që sulmuesi nga Gjilani të bëhej temë jo vetëm për lojën në fushë. Daku edhe njëherë në risjell në kujtesë sakrificën sublime dhe derdhjen e gjakut për liri. Diçka të tillë bëri edhe komandanti i “Brigadës 138” të UÇK-së, Agim Ramadani në 1999.

Komandant Agim Ramadani, në luftën për liri mori pseudonimin “Katana”, shpatë e hollë dhe e mprehtë e përdorur nga luftëtarët samurai në Japoni, e saktë dhe vdekjeprurëse.

Komandant “Katana” ishte pjesë e betejës më të rëndësishme për fatet e luftës së UÇK-së kundër pushtuesve serbë në Kosovë. Më 9 prill të vitit 1999, në krye të opearacionit “Shigjeta”, Agim Ramadani dhe njësiti “Kobra” i Brigadës 138, nisin në orët e para të mëngjesit një sulm frontal me armikun. Qëllimi ishte thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar, në mënyrë që armët dhe materialet logjistike që vinin nga Shqipëria mëmë të kalonin lirshëm për të furnizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Komandant “Katana” bëhet pjesë e përjetësisë dy ditë më vonë, kur më 11 prill mbylli sytë duke rënë në betejë. Dhimbja ndër shokë është e madhe. Shqipëria humbet një atdhetar të çmuar e djalë trim, Kosova një bir që dha jetën për lirinë e saj.

Për kujtimin e tij në ndeshjen e Kombëtares nga Mirlind Daku, foli për Report TV edhe e veja e Dëshmorit, Shukrie Ramadani. Për emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu, bashkëshortja e heroit të lirisë u shpreh e emocionuar nga gjesti, teksa nuk e dinte më herët për këtë tatuazh të sulmuesit.

Lexo edhe:  Ky është i arrestuari tjetër për vrasjen e Liridona Murselit

“Ndeshjet që ka kombëtarja jonë, çdo shqiptar i ndjek me shpresë dhe dashuri për fitore. Jam e gëzuar për fitoren dhe për gjestin e Mirlindit, që solli në skenë heronjtë tanë.

Tatuazhi? Kur hoqi fanellën dhe tatuazhi ishte me Agimin, na gazoi shumë. Jo vetëm ne, po për çdo familje dëshmori që ka kontribuar për atdheun”, tha ajo.

Më pas Shukrie Ramadani tregon se Dëshmori “Katana 138” nuk është vetëm bashkëshorti i saj, por heroi i të gjithëve.

“E njihni lojtarin? Jo, nuk e dija as nga emri. Nuk dija as që kishte tatuazh. Janë qindra djem që kanë një tatuazh të tillë. Agimi ishte luftëtar i lirisë, nuk është më vetëm i imi, është i të gjithëve. Është poeti, piktori dhe komandanti. Brezat e rinj po mësojnë për heronjtë që i sollën lirinë dhe tanimë i kanë edhe në trupat e tyre si tatuazh. Do kërkoj që të gjej Dakun dhe besoj se do e takoj, dua t’iu dërgoj edhe një foto më me të. Fitorja ishte e përbashkët edhe me Brigadën 138, për të gjithë luftëtarët”, tha zonja Ramadani.

Më pas edhe një mendim për lojën e Kombëtares, teksa kërkohet Europiani.

“Jemi më të fortë dhe të denjë, ndjekim Kombëtaren dhe Kosovën. Kemi dëshirë që të kemi suksese me të dyja dhe të shkojmë në Europian. T’i gëzohemi fitores dhe me Sylvinhon i tregojmë botës se kemi vlera”, tha e veja e Agim Ramadanit, Shukria.