Hajnat ia mësyjnë marketit Maxi dhe mishtores te ‘Muharrem Fejza’, vjedhin mijëra euro, mall e pajisje

Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër biznese të ndryshme duke shkaktuar kështu humbje e pasiguri. Cak i hajnave së fundi ka qenë edhe marketi ‘Maxi’ në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ku hajnat dyshohet se kanë depërtuar me forcë dhe kanë vjedhur para e mall. Rasti ka ndodhur në orët e para të së shtunës.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është denoncuar nga menaxheri i marketit, i cili ka dhënë detaje se si e gjeti lokalin kur kishte shkuar në mëngjes.

Bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve policorë, hajnat kanë arritur të hyjnë në market, përmes një lokali tjetër dhe nga zyra e tij kanë vjedhur rreth 3 mijë euro para të gatshme, si dhe mall mbi 5 mijë euro.

Plani i hajnave siç duket ka qenë edhe lokali “Best Beef”, nga i cili kanë depërtuar deri te zyra e menaxherit të marketit ‘Maxi’. Edhe nga ky lokal, Sinjali mëson se është vjedhur një pajisje.

Pas denoncimit të rastit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë që do të ndihmojnë në zbulimin e të dyshuarve.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, teksa veprimet tjera do të merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Gjykimi për ngjarjen që tronditi Pejën: “Iu kam betu varrit të djalit se do të kërkojë drejtësi”