S’ndalen incidentet te diskoteka ‘Lit’ në Prishtinë, plagoset me armë zjarri një person

Rastet e përdorimit të armëve nga të rinjtë e rreziku që shkaktojnë përreth shpesh kanë përfunduar edhe tragjikisht. Të shtëna armësh në afërsi të lokaleve e diskove në kryeqytet nuk janë të rralla. Kështu ka ndodhur disa herë te diskoteka “Lit” në Prishtinë.

Edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm ka ndodhur një incidet në afërsi të këtij lokali dhe Policisë sërish i doli punë për të intervenuar.

Për motive ende të panjohura, dikush dyshohet se ka shkrepur me armë zjarri dhe për pasojë është plagosur një 37-vjeçar, i cili tashmë ndodhet në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, thonë burimet brenda Emergjencës.

Sipas informacioneve të para, Sinjali mëson se të dyshuarit janë larguar me veturën e tyre pa targa dhe Policia fatkeqësisht nuk ka arritur t’i ndalojë, përkundër urdhrave që janë dhënë.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes, janë konfiskuar gëzhojat e armës dhe janë kryer ekzaminimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa të ndërmerren veprimet e nevojshme për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar.

Lexo edhe:  Rastet e dhunës në familje në rritje, brenda 24 orëve disa persona përfunduan në pranga