Mitrovicë: Sulmohet seksualisht 11-vjeçarja në hyrje të banesës, arrestohet i dyshuari 41-vjeçar

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, e shumë herë edhe të moshuar.

Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur para dy ditësh, në hyrjen e një banese, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ku një vajzë 11-vjeçare dyshohet është sulmuar seksualisht nga një person i moshës madhore.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rasti ka ndodhur në orët e mëngjesit, posa e mitura është futur në hyrjen e banesës, kur i dyshuari U.Meholli (41-vjeçar) dyshohet se e ka prekur vajzën me qëllim seksual.

Gjithçka dyshohet se u zbulua pasi nëna e denoncoi atë që kishte ndodhur, me ç’rast Policia është aktivizuar për arrestimin e personit të dyshuar.

Si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve hetimore, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.

Lexo edhe:  Skandaloze: Në Kuvendin e Shqipërisë përmbysen karriget e deputetëve në mes të sallës