Skandaloze: Foshnja e vdekur futet në lavatriçe në Spitalin e Pejës

Një rast skandaloz ka ndodhur së fundmi në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Pakujdesia e madhe e stafit të Repartit të Gjinekologjisë, ka bërë që në lavatriçën e çarçafëve të futet një foshnje e vdekur. E njëjta u nxor copa-copa nga lavatriçja.

Përkundër insistimit të stafit spitalor që ky rast i tmerrshëm të mbahet fshehur, familjarët kanë njoftuar policinë.

Se si ka ndodhur i gjithë rasti, për IndeksOnline rrëfen babai i foshnjës.

Ai mes lotësh tregon se si neglizhenca e madhe e spitalit ka tronditur familjën e tij.

Baba i foshnjës thotë se dyshimet nga ana e tij lindën sapo pa që Spitali refuzoi ta lirojë trupin e pajetë të foshnjës. Çdo gjë pas këtij momenti, ka thelluar tragjedinë.

Babai nuk ka ndalur për asnjë çast përpjekjet për të marrë vesh të vërtetën rreth foshnjës së tij të vdekur. Por, e vërteta që mori ishte përtej asaj që ai kishte imagjinuar ndonjëherë. Ai me sytë e tij pa copëzat e mbetura nga trupi i pajetë i foshnjës së tij, pasi mes çarçafësh u nxor nga lavatriçja e Spitalit.

Rrëfimin e plotë të tij mund ta dëgjoni më poshtë.

VIDEO KËTU

Rastin për Paparacin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka thënë se po kryhen hetime nga Prokurori i Shtetit dhe Inspektoriati i Shëndetësisë.

“Nga ankuesi, Policia ёshtё informuar pёr njё rast i cili ka ndodhur nё Spitalin Rajonal nё Pejё. Policia menjёherё ka dalё nё vendngjarje, Prokurori i Shtetit, gjithashtu. Nё vendngjarje kanё dalё edhe inspektorёt e shendetёsisё. Rasti, me urdhёr tё Prokurorit tё Shtetit, ёshtё duke u hetuar nga Prokurori i Shtetit dhe inspektorёt e shendetёsisё” thuhet në përgjigjen e Policisë.

Burime të IndeksOnline brenda Spitalit të Pejës thonë se Spitali po mundohet me çdo kusht që të fshehë rastin, duke bërë presion tek personeli, që të mos dalë asnjë informatë jashtë Spitalit. Madje, ata po tentojnë që tërë fajin ta bartin në supet e stafit të pastrimit, për të lënë të pastër emrin e stafit mjekësor të Gjinekologjisë.

Lexo edhe:  Arrestohet një person që dyshohet se rrahu një serb në Suhodoll të Mitrovicës

Nga Spitali i Pejës është deklaruar vetëm ushtruesi i detyrës së drejtorit të Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta, Selman Kelmendi.

Ai thotë se ka persona të suspenduar sa i përket këtij rasti, i cili po vazhdon të hetohet nga Inspektoriati, Policia dhe Prokuroria.