Skandali në Spitalin e Vushtrrisë: Rrëfehet njëri nga pacientët, pretendon se Latifaj i kërkoi të holla para se të hynte në operacion

Keqpërdorimet e pozitës zyrtare për fat të keq janë shndërruar në një dukuri të zakonshme në Kosovë, sepse konflikti i interesit, dhënia dhe marrja e ryshfetit për disa prej atyre që po kryejnë këto vepra penale nuk përbëjnë veprime të ndaluara e të gabuara. Një akt të tillë raportohet ta kenë kryer tre kirurgë të cilët ushtronin veprimtarinë e mjekut në Spitalin e Vushtrrisë, shkruan Gazeta Sinjali.

Doktorët Arsim Latifaj, Ekrem Sefiu dhe Isuf Zekaj janë të dyshuar për korrupsion në Spitalin e Vushtrrisë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit janë arrestuar doktor Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj me dyshimin se kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit. Ndërkaq mjeku Isuf Zekaj i cili është në pushim vjetor është thirrur në telefon për t’u dorëzuar në Policinë e Kosovës.

Drejtoresha e spitalit Dr. Shekfije Shatri ka njoftuar po ashtu se tre kirurgët janë suspenduar nga puna në këtë spital.

Në redaksinë e Gazetës Sinjali një person (identiteti i të cilit është i njohur për redaksinë) përmes rrëfimit të tij, pretendon se ka qenë pre e mashtrimit nga kirurgu Arsim Latifaj.

Pacienti ka rrëfyer se vitin e kaluar i ishte shfaqur një problem shëndetësor në tëmth ku ishte drejtuar në Spitalin e Vushtrrisë për të gjetur shërim.

Aty, pacienti pretendon se është njoftuar me kirurgun Arsim Latifaj te i cili thotë se i kishte kryer kontrollat e duhura para se të operohej.

Pacienti thotë se ishte nënshtruar operacionit në tëmth në nëntor të vitit 2022 për të cilin thotë se kishte pritur dy muaj vetëm për termin.

“Analizat janë bërë një javë para se me hy në operacion. Kur i kom çu analizat që ka kërku me i ba para operacionit i ka kontrollu në ordinancën private që punon në lagjen “Bregu i Diellit” .Tha në rregull janë. E kam pyet a duhet me ba naj pagesë kur të vij në spital, tha po kur ta çelni historinë që të shtriheni në spital duhet me ba një pagesë .Po a më lëshohet dëftesë për këtë pagesë që e bëjë, ka thënë po“, rrëfen pacienti.

Lexo edhe:  Dëshmitarja serbe në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëshmon pa e mbuluar fytyrën

Listës iu shtua edhe një pagesë prej 180 euro për të cilën pacienti thotë se nga aty nisën dyshimet e para.

Sipas pacientit, mjeku i kishte kërkuar ta kryente pagesën prej 120 ose 180 euro për një aparat i cili do të shërbente për operim.

“Edhe duhet me ble një aparat kur të hyni në sallë .Ai kushton 120 euro nëse e siguroj unë a nëse e blen ti, kushton 180 euro. E kam pyet a më lëshohet dëftesë për këtë pagesë më ka thënë jo .Edhe ma ka marr mendja se këto pare për vete po i merr po isha me dhimbje edhe kam thanë hajt veç ishalla e kryej më shpejtë“, rrëfen pacienti.

Pagesa sipas pacientit, thotë se ishte kryer gjysmë ore para se të hynte në sallën e operacionit. Këtë pagesë, ai thotë se doktorit ia kanë dhënë familjarët e tij.

“Gjysëm ore pa shku në sallë m’i ka kërku paret 120 euro Unë kam qenë duke marrë infuzion në një dhomë dhe i kam thënë dil te hyrja janë familjarët dhe t’i japing. E kam thirre djalin që ka qenë te hyrja dhe i kam thënë kur të del doktori jepja paret edhe ja ka kry pagesen 120 euro pa kurrfarë dëshmie“, u rrëfen pacienti për Sinjalin.

Ai shton se listës iu shtua edhe një pagesë prej 2.5 euro për një enë e cila do të përdorej për t’i vendosur gurët të cilët do të nxirreshin nga tëmthi gjatë operacionit.

“Pa hy ne  salle ma kontrollun tensionin e gjakut edhe më tha një motër duhet me ble një tegull tha ka në barnatore jashtë. U dalë djali edhe e ka ble 2.5 euro. Ajo kishte qenë për me i vendos gurët kishe në të.

Lexo edhe:  27 kandidatë për Bordin Mbikëqyrës të Trepçës

Si u zhdukën “gurët”?

Pacienti i cili për Sinjalin rrëfen historinë e tij me mjekun Arsim Latifaj i akuzuar për korrupsion në Spitalin e Vushtrrisë, ngrit dyshime se nëse në tëmthin e tij, me të vërtetë kishte gur.

Ai thotë se gruaja e tij kishte kërkuar që t’i shihte gurët, mirëpo përgjigjen që e mori nga mjeku ishte “më janë pshtjellur me të një pacienti tjetër”.

“Kur kam dalë prej sallës së operacionit u ardhë gruaja motra dhe djali në dhome edhe gruaja u interesuar për gur se ku janë. I ka pyetur motrat se ku janë gurët që ja kanë hjeke i kanë thanë se pyetne doktorin. Kur ka ardhë doktori e kanë pyet dhe i ka dhënë këtë përgjigjje: “me siguri janë pshtjellë në sallë. E kam pasë nje pacient afër meje që është operu para meje”, tha pacienti.

Ndërsa shton se pacientit tjetër i cili ishte operuar tek një doktor tjetër, ja kishin sjellur gurët e ky veprim ka ndikuar që të nis dyshimet se “nuk kam pas gur hiç në idhzë“.

Të njëjtin shqetësim shëndetësor që e kishte para operacionit, pacienti thotë se i ishte shfaqur një javë pas kryerjes së operimit. Dhimjet në tëmth, nuk kishin të ndalur.

Për këtë çështje, pacienti thotë se ishte drejtuar tek doktori Latifaj.

“Edhe tash të njëjtat simptoma në lukth i kom veç kur jom kanë në kontroll pas një jave thash hala po kom dhimtë. Tha po çka po menon ti, ke pas operacion“, u shpreh ai duke shtuar se largimin e penjëve e kishte bërë në ordinancën private të Latifajt.

Pacienti shton se edhe pas dyshimeve që i ishin ngritur ndaj dokorit Latifaj nuk ka dorëzuar ankesë ndaj doktorit.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Vdes në moshë të re, Tea Mustafa

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të shtetit janë arrestuar dy persona të dyshuar-mjekë të Spitalit në Vushtrri Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj me dyshimin se kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Prokuroria njofton se me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, dhe brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarit.

Prokurori i Shtetit njofton se ka urdhëruar policinë që të arrestojë edhe të dyshuarin – mjek të Spitalit në Vushtrri, Isuf Zekaj, me dyshimin se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit dhe posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të lëshohet vendimi për ndalim prej 48 orësh, po ashtu edhe për këtë të dyshuar do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së sigurisë.

Ndryshe, korrupsioni në Ballkanin Perëndimor mbetet shumë i lartë. 20 deri 40% e qytetarëve pranojnë se kanë paguar një lloj ryshfeti.

Kosova duket të jetë vendi i pestë në rajon sa i përket korrupsionit administrativ, thotë raporti i fundit “Monitorimi i sistemit të korrupsionit 2021”, të publikuar nga SELDI, Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim.