Dëshmitarja serbe në gjykimin kundër Thaçit dhe të tjerëve po dëshmon pa e mbuluar fytyrën

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të shtatëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ajo është Dragica Bozhaniq dhe po dëshmon pa masa mbrojtëse në seancë publike.

Trupi gjykues ka bërë të ditur se synojnë që dëshmia e saj të përfundojë sot.

Këtë dëshmi, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi po e përcjellin përmes video lidhjes nga qendra e paraburgimit, ndërsa Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar gjashtëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, vetëm dy prej tyre pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ndërsa ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Lexo edhe:  Gashi: Boll ma, Qeveria e Albinit me korrupsion, afera, sanksione e dështime duhet të shkarkohet