Shqetësuese: Dhuna në familje në rritje, shumë raste në dy ditët e fundit

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë. Në dy ditët e fundit kanë ndodhur disa raste të tilla, në disa qytete, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se njëri nga rastet ka ndodhur në fshatin Korroticë e Ulët e Drenasit, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Pas një konflikti verbal, 54-vjeçari ka eskaluar në dhunë, ku dyshohet se e ka kapur viktimën për fyti. Ai është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Probleme në lidhjen e tyre patën edhe një çift në Fushë Kosovë. 29-vjeçarja ka denoncuar në Polici personin me të cilin bashkëjeton, pasi që sipas saj janë fjalosur në një parking në rrugën ‘Dardania’. Pas intervenimit të Policisë, i dyshuari është intervistuar dhe do të hetohet në liri, ndërsa viktima ka shkuar te familja e saj.

Viktimë e dhunës në familje ishte muaj më parë edhe një burrë në fshatin Krushë e Vogël në Prizren. I biri dyshohet se me anë të goditjeve i kishte shkaktuar atij lëndime të rënda trupore, por që më pas ishte arratisur dhe i njëjti ishte në kërkim policor. 22-vjeçari është arritur që të arrestohet të shtunën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Me vendim të prokurorit, i riu është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Hajdari: S’shoh arsye për të dhënë dorëheqje, s’kam dyshime te zyrtarët që janë ndaluar sot

Në Polici kanë përfunduar edhe një çift nga Mitrovica, pasi burri dyshohet se ka mbajtur të ngujuar bashkëshorten e tij. Viktima e cila është shtetase e Shqipërisë, ka deklaruar në Polici se i dyshuari ushtronte dhunë psikike e fizike ndaj saj. I dyshuari është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë.

E një pushim për fundjavë në Shqipëri, u kthye në makth për 34-vjeçaren në Fushë Kosovë. Kjo për shkak se bashkëshorti i saj derisa ishin atje, dyshohet se ka fyer me fjalë të rëndë dhe pasi janë kthyer në Fushë Kosovë, nuk e ka lënë të hyjë në banesë. Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe i dyshuari është shoqëruar në stacion policor. Me vendim të prokurorit ai do të hetohet në liri, ndërsa viktima ka shkuar te familjarët e saj.

E dhunë fizike nga bashkëshorti i saj përjetoi edhe një grua dje në Kaçanik. Si pasojë e kësaj ajo ka pësuar lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmën e mjekëve në spital. Ndërkohë rastin e ka denoncuar edhe në Polici dhe si rrjedhojë 33-vjeçari është arrestuar. Me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.