Shitblerja e narkotikëve: I riu në Prishtinë kapet mat me 13 qese marihuanë, dërgohet në mbajtje

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pas mesnatës në Veternik, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një automjet.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjatë kontrollit te njëri prej personave që ndodheshin në veturë, janë gjetur 13 qese të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Narkotikët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa 21-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor në dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja apo shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  I ofroi ryshfet 5 euro policit kosovar “për një kafe”, arrestohet shoferi