Të bllokuar prej 10 ditësh në Jarinje, i përkeqësohet gjendja një doganieri

Një grup doganierësh kanë mbetur të bllokuar që disa ditë në pikën kufitare në Jarinje.

Siç mëson Paparaci, ky grup ka mbetur i bllokuar nga data 10 dhjetor.

“Që nga data 10.12.22 në pikën kufitare Jarinjë janë bllokuar shumë doganierë. Atyre po u keqësohet gjendja shëndetësore. Që nga dita e dytë marrin ushqim të konservuar”, i ka thënë Paparacit ky burim.

Që nga ajo ditë, për doganierët nuk është interesuar askush.

Madje ky grup doganierësh ushqimin po e marrin në mënyrë të konservuar, shkruan Paparaci.

Përveç ushqimit jo të shëndetshëm, ata janë duke u përballë edhe me kushte të rënda higjienike tash e dhjetë ditë.

Më 13 dhjetor Paparaci kishte raportuar edhe për bllokimin e katër policëve për katër ditë në veri.

Rrjedhimisht, disa prej zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë mbetur të vetmuar duke pritur për zgjidhje dhe përgjigje nga personat përgjegjës.

Në anën tjetër, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 6 dhjetori, teksa janë regjistruar disa incidente të armatosura, shkruan Paparaci.

Më 10 dhjetor, serbët lokalë ngritën barrikada në veri në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi më 12 dhjetor se Pantiqit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ai dyshohet për “kryerjen e veprës penale terroriste”.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri, të hënën ka bërë me dije se është i pamundur ndërrimi i patrullave të policëve në veri.

Zeqiri ka theksuar nevojën urgjente për furnizimin e policisë së Kosovës me helikopter, për ndërrimin e patrullave policore pas vendosjes së barrikadave në Jarinjë e Bërnjakë.

Lexo edhe:  Zbulohet arsyeja që çoi në vrasjen në një hotel të Prishtinës