Rrogën deri në 1 mijë euro e sigurim shëndetësor, pronari i një kompanie mundohet t’i ndalë 100 punëtorë të mos ikin jashtë

Darka e fundvitit, më 29 dhjetor të vitit të kaluar, solli një lajm të mirë për punëtorët e kompanisë “Elsa Group” në Pejë: gjatë vitit 2024 atyre do t’iu paguhet edhe sigurimi shëndetësor – benefit që nuk e gëzojnë punëtorët në institucione publike.

Këtë vendim e kishte marrë pronari i kompanisë, Brahim Selimaj, gjatë tentimit që t’i bindë punëtorët të mos e lënë punën në kompaninë e tij për të kërkuar mundësi të tjera nëpër vendet e Bashkimit Evropian (BE).

Rreth 100 punëtorët e “Elsa Group” – që merren me përpunim të pllakave të granitit dhe mermerit – marrin paga nga 500 deri në 1.000 euro. Selimaj tregon se kompania ka nevojë edhe për dhjetëra punëtorë të tjerë.

Por, si shumë biznese të tjera, edhe kompania e Selimajt është përballur me mungesë punëtorësh që nga viti i kaluar. Liberalizimi i vizave për Kosovën që nga 1 janari i këtij viti është përcjellë me shqetësime se kriza me mungesë punëtorësh do të përkeqësohet.

Udhëtimet pa viza në zonën Schengen duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe jo për qëllime punësimi. Mirëpo, një raport i Institutit Riinvest, i publikuar në nëntor të vitit të kaluar, thotë se rreth 18 për qind e punonjësve tashmë i kanë informuar kompanitë se do të emigrojnë pas liberalizimit të vizave. Por, në të njëjtin raport thuhet se, sipas vlerësimit të kompanive, rreth 33 për qind e punëtorëve do ta lëshojnë Kosovën.

Lexo edhe:  Pamje të rënda: Po përgatitej për t’i përshëndetur fëmijët - Babagjyshi bie nga kati i 24 dhe vdes