Bastisje në një shtëpi në Ferizaj, Policia e kap 24-vjeçarin me armë ilegale

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.

Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer mëngjesin e sotëm një bastisje në një shtëpi në fshatin Greme të Ferizajt, pas informacioneve se një person posedon armë.

Siç mëson Sinjali bëhet fjalë për një 24-vjeçar, i cili është kapur me disa fishekë dhe më pas iu gjet edhe arma, të cilën e mbante pa leje.

Revolja dhe municioni janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Ky është burri nga Vushtrria që rrahu bashkëshorten dhe kushëririn shkaku i xhelozisë