Rrahje në fabrikën e metalit te Parku i Biznesit, një punëtor dërgohet në gjendje të rëndë në spital
Jo rrallëherë ndodhin përleshje mes punëtorëve në biznese të ndryshme në Kosovë.
Ato shpesh eskalojnë në kërcënime e sulme, për çka intervenon Policia. Një rast i tillë ka ndodhur në fabrikën e metalit ‘Power Pack’ te Parku i Biznesit në Korroticë të Epërme.
Sinjali mëson se dy punëtorë atje janë përleshur fizikisht mes vete, me ç’rast një 26-vjeçar ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej, ai është dërguar me urgjencë për në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
I dyshuari është paraqitur në stacion për intervistim një ditë më vonë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.
Me urdhër të prokurorit, 25-vjeçari është dërguar në mbajtje për 48 orë.