Rasti tronditës në Gjakovë, kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarve për dhunimin dhe shfrytëzimin për prostitucion të të miturës

Dje u raportua për një rast të tmerrshëm që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një motel në mes të rajonit të Pejës dhe Gjakovës, ku tre persona po dyshohen për dhunimin dhe shfrytëzimin e një vajzë të mitur për prostitucion. Të dyshuarve tashmë i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh dhe është kërkuar masa e paraburgimit ndaj tyre.

Se është bërë kërkesa për paraburgimin e tyre e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, Prokuroria Themelore në Prizren.

“Për tre (3) të pandehurit, prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Themelores së Prizrenit, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, me urdhër të prokurorit ata janë ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se njëri nga të pandehurit ka kryer veprën penale “Dhunimi” , ndërsa dy të tjerët veprën penale “Mundësimi osë detyrimi në prostitucion”.

Kush janë të dyshuarit?

Gazeta Sinjali ka raportuar se tre të arrestuarit që u kapën në Prizren dhe po dyshohen për këtë rast janë:

Dashamir Dema, 36-vjeçar,

Zylfi Kastrati, 33-vjeçar,

Dritan Morina, 48-vjeçar.

Cilat janë detajet e këtij rasti të trishtë?

Tre të dyshuarit, me një plan të detajuar, dyshohet se fillimisht i kanë ofruar ‘ndihmë’ viktimës, e cila ishte larguar nga shtëpia e saj para disa ditësh, duke e marrë me veturën e tyre dhe duke i premtuar strehim.

Gjatë kësaj periudhe, të njëjtit e kanë dërguar në një motel, ku dyshohet se dy prej tyre kanë kryer marrëdhënie seksuale me të, edhe pse kanë qenë në dijeni për moshën e saj.

Për dhunimin e 15-vjeçarës dyshohet se ndihmoi i dyshuari i tretë, që sipas burimeve të Sinjalit, dyshohet se e ka organizuar dhe ndihmuar viktimën për qëllime të prostitucionit – duke kryer kështu veprën penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”.

Lexo edhe:  Vazhdon operacioni “Goditja”, arrestohen 14 persona, konfiskohen 19 armë

Si u kapën të dyshuarit nga Policia?

Kontrollet e Policisë mbrëmë pas mesnate, te Tranziti i Vjetër në Prizren u bënë ‘sebep’ që të zbulohej rasti, pasi vetura në të cilën ndodheshin tre të dyshuarit dhe viktima u ndalua për kontroll.

Të dyshuarit fillimisht tentuan t’ia hedhin Policisë, duke u prezantuar si familjarë mes vete, por tentativa për t’i mashtruar iu dështoi dhe u ngritën dyshimet se deklaratat e tyre janë të rrejshme.

Sipas të njëjtave burime, pasi u zbulua se asnjëri prej tyre nuk ka lidhje familjare me tjetrin, grupi u shoqërua për në stacion policor, teksa në anën tjetër, vajza është dërguar në Spitalin Rajonale për ekzaminimet e nevojshme.

Ndaj tre të dyshuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për dy vepra penale “Dhunimi” e “Mundësimi apo detyrimi në prostitucion”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.