Këta janë dy të dyshuarit që u kapën në flagrancë me heroinë në Ferizaj, ndalohen për 48 orë

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.

Për një rast të tillë që është zbuluar në Ferizaj, janë arrestuar dje dy persona.

Sinjali mëson ekskluzivisht se të dyshuarit janë Arjan Murati 39-vjeçar dhe Bekim Islami 49-vjeçar.

Dy të dyshuarit u zbuluan pasi një njësi policore që po patrullonte në fshatin Talinoc i Muhaxherëve në Ferizaj, ka ndalur për kontroll një veturë taksie, brenda së cilës ndodhej si pasagjer Murati.

Gjatë kontrollit trupor, 39-vjeçarit i janë gjetur dhe sekuestruar disa paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë. Murati është vënë në pranga dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndërkohë, njësitë policore në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në një banesë në rrugën ‘Emin Duraku’, ku kanë hasur në të dyshuarin e dytë, Bekim Islami dhe kanë gjetur gjësende që përdoren për konsumim të heroinës. Gjësendet e kundërligjshme janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa Islami është shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale, ku mes të tjerave ka dhënë edhe detaje për gjësendet e sekuestruara.

Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që gjatë kontrollit të tyre janë gjetur dhe konfiskuar 24.8 gram substancë narkotike e llojit heroinë, 60€ dhe tre telefona mobil. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Lexo edhe:  Grabitje në një barnatore në Prishtinë, hajni merr shiringa dhe mbi 20 paketime me metadon

Kujtojmë që sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.