Qytetarëve serbë në veri po ju mungon Policia e Kosovës, ndihen të pasigurt

Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb nga veriu i Kosovës deklarojnë se nuk ndihen të sigurt për shkak se Policia e Kosovës nuk është në terren, ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se organet e rendit janë të pranishme në atë pjesë, shkruan REL.

Nga organizata joqeveritare Qendra Humane Mitrovica, e cila merret me çështjet e sigurisë, pohojnë se aktualisht ekziston vetëm mundësia e raportimit të veprës penale, por jo edhe veprimet hetimore të policisë apo ndjekja penale e autorit.

Në fillim të nëntorit, pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në veri të vendit, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar automjetet me targa serbe në ato të Kosovës.

Të njëjtën gjë bënë edhe punonjësit e sistemit të drejtësisë.

Qëndrimet e qytetarëve për gjendjen e sigurisë

Qytetarët në komunat veriore të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se ndjenja e pasigurisë është shtuar dita-ditës.

“Të jem e sinqertë, madje edhe kur ka pasur prani të policisë nuk jam ndier e sigurt. Por, tash edhe më e pasigurt. Është domethënëse kur keni një lloj mbrojtjeje”, thotë për Radion Evropa e Lirë një qytetare e cila u prezantua me emrin Sunçica.

Ngjashëm shprehet edhe Ana Marija Ivkoviq, po ashtu nga Mitrovica e Veriut. Sipas saj, ndjenja e pasigurisë tashmë vetëm sa është shtuar pasi që nuk ka prani të policisë në terren.

“Thjesht, shohim se nuk ka prani të tyre. Mendoj se me siguri se nuk do të ndodhnin disa incidente po të kishte prani të tyre”, thotë ajo.

Qytetarja tjetër që jeton në Mitrovicën e Veriut, e cila u prezantua me emrin Drita, thotë se që ndjenja e pasigurisë mbretëron në këtë qytet.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditët në vazhdim

“Qytet i braktisur. Aty ku nuk ka polici, nuk ka as siguri për jetën dhe për asgjë”, thekson Drita.

Ivani nga Leposaviqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ka dy fëmijë dhe se është i shqetësuar për sigurinë e tyre, pasi policët serbë braktisën pozitat e tyre.

“Prindi shqetësohet madje edhe kur policia është e pranishme, por problemi është edhe më i madh sidomos kur nuk ka polici”, thekson ai.

Vidoje, po ashtu nga Leposaviqi, vlerëson se gjendja e sigurisë është përkeqësuar ndjeshëm pas 5 nëntorit, kur policët serbë janë tërhequr.

“Këto ditë kemi qenë dëshmitarë të zënkave, vjedhjeve të lokaleve dhe grabitjeve. Njerëzit janë të shqetësuar dhe të frikësuar”, thotë Vidoje.

Askush nga këta qytetarë nuk e di se cila është adresa e saktë për të raportuar ndonjë vepër penale, në rast se përballen me të.

Javën e kaluar, në një video, e cila u bë virale, shihet një burrë duke e goditur qëllimisht me automjetin e tij një burrë tjetër në rrugë. Pretendohet se ngjarja ka ndodhur në Leposaviq, por REL-i nuk ka arritur të konfirmojë autenticitetin e xhirimit.