Komandanti i KFOR-it: Po të mos ndërhynim në veri, tani do të mbanim zi për të vdekurit

Komandanti i KFOR-it, Angelo Michelle Ristuccia, ka deklaruar se po të mos ndërhynte KFOR’i në Zveçan, “tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, raporton Express.

Këtë deklaratë, Ristuccia e ka dhënë në një intervistë për gazetën italiane “La Republica”.

“Nëse nuk do të kishim ndërhyrë, tani do të ishim duke mbajtur zi për të vdekurit”, ka deklaruar Ristuccia.

Ai ka thënë se në Zveçan ka pasur njerëz të cilët “me qëllim e kanë nxitur turmën” e banorëve serbë të cilët janë mbledhur prej katër ditësh para objektit komunal.

Rreth 30 ushtarë të KFOR’it kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit serbë, para objektit të Komunës së Zveçanit.  Njëmbëdhjetë ushtarë janë të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë janë të kontingjentit hungarez.

Lëndimet e tyre përfshijnë fraktura të gjymtyrëve, djegie, ndërkohë që 3 ushtarë hungarez janë të plagosur me armë zjarri.

Situata në veri të vendit është tensionuar nga dita e premte, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e zgjedhur të komunave në veri, që të hynin në zyret e tyre në objektet komunale, meqë qytetarë serbë kishin bllokuar hyrjen para objekteve.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim