Qeveria t’i kthejë sytë kah Trepça: Gjendja është e mjerueshme

Ibrahim Januzi nga Sindikata e Pavarur të Punëtorëve të Trepçës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthejë sytë kah Miniera e Trepçës, pasi sipas tij, gjendja është e mjerueshme. Ai ka kërkuar që të bëhet një ligj i veçantë për minatorët.

Qeveria pati premtuar investime e rimëkëmbje të Trepçës gjatë vizitave që dikur i bënte kryeministri Albin Kurti e ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Megjithatë, gjendja në terren, sipas Januzit, është krejt ndryshe e se kjo Qeveri nuk po bën diçka më shumë se ato të kaluarat.

“Trepça është lënë në harresë. Kemi pas shpresa se gjendja do të përmirësohet, por mungesa e investimeve kapitale dhe mosripërtrirja e punëtorëve na kanë vështirësuar punën. I bëjmë thirrje Qeverisë edhe nga këtu t’i kthejë sytë kah minatorët, kah Trepça. Jemi në gjendje të mjerueshme. Punoj qe 12 vjet, s’kam pa ndonjë ndryshim as nga kjo Qeveri”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Ministrja Rizvanolli në shkurt pati bërë të ditur se kishin marrë një kredi prej 20 milionë euro për Trepçën. Por ato para, siç ka thënë Januzi, ende s’kanë mundur t’i shfrytëzojnë.

“I kemi pyetur pse s’po mundemi me i shfrytëzu, na kanë thënë që jemi në proces, jemi në proces”, ka shtuar ai.

Januzi ka thënë se takimin e fundit me akterët qeveritarë e kanë në mars, kur janë takuar me këshilltaren e Rizvanollit. Që atëherë, ai thotë se kanë bërë kërkesa për t’u takuar prapë, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive.


“Një minatori i mungon gjithçka, duke filluar prej rrobave të punës. Në shumë raste, pajisjet i paguajnë vetë minatorët. I mungojnë ndihmat e para mjekësore. Na mungon edhe ajri sipas standardeve të sigurisë. Ka mungesë të punëtorëve. Mosha mesatare është shumë e lartë, kalon 55 vjet. Vetëm vitin e kaluar, mbi 20 minatorë janë larguar”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Sot bëhet varrimi i tri viktimave që vdiqën në Lepenc

Minatorët e Trepçës gjatë këtij muaji janë futur në greva të shkurtra për shkak të vonesës së pagave. Sipas Januzit, pagën e qershorit e kanë marrë të ndarë në tri këste.