Qëndroi në arrati për 10 ditë, dorëzohet në Polici i dyshuari për tentim vrasjen në Podujevë

Pas më shumë se një jave në arrati, i dyshuari për tentim vrasjen në fshatin Sibofc të Podujevës, është dorëzuar në Polici. Rasti ka ndodhur më 12 korrik, kur i dyshuari shkrepi armën e zjarrit disa herë në drejtim të një veture, ku ndodhej një 36-vjeçar dhe më pas iku.

Gazeta Sinjali ka raportuar se i dyshuari që kërkohej nga Policia është Endrit Zhegrova, i cili është paraqitur gjatë ditës së djeshme në Polici.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë intervistimit, i dyshuari e ka zbuluar se ku e ka fshehur armën që dyshohet se e ka përdorur dhe ka dhënë detajet e tjera të rastit.

Ndryshe, ditën që ndodhi incidenti është kryer edhe bastisje në pronën e të dyshuarit, por i njëjti nuk ishte hasur.

Ndërsa rasti ishte konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës.

“Fsh. Sibofc, Podujevë 12.07.2023 – 19:34. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën në drejtim të tij kishte gjuajtur me armë zjarri i dyshuari mashkull kosovar. Vetura e viktimës ishte qëlluar me pesë predha në pjesën e pasme- bagazh. Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit, por nuk është gjete asgjë e dyshuar. I dyshuari nuk është hasur nga policia dhe gjendet në arrati.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Qeveria ndan 10 milionë euro për skemën e re / Kush janë përfituesit?