Punëtori rrëzohet nga objekti ku punonte në Podujevë, dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK

Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të hënën, në orët e pasdites në Podujevë.

Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së kanë bërë të ditur se një punëtor 41-vjeçar është lënduar teksa ka qenë duke punuar në një objekt, prej të cilit është rrëzuar. Viktima ka rënë nga një lartësi, duke pësuar kështu lëndime të rënda trupore.

Sipas burimeve nga Emergjenca, punëtori është pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore në këtë qendër, ku edhe po vazhdon trajtimin mjekësor.

Lidhur me këtë rast, Sinjali mëson se tashmë hetimet kanë nisur nga Inspektorati si dhe nga Policia, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Lexo edhe:  Hoxhaj: Kryeministrin e Kosovës nuk e merr seriozisht dhe nuk i beson askush