“Plumbin n’kry ka me ta jep”, ky është i dyshuari që kërcënoi Policinë në Prishtinë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Kështu ka ndodhur edhe të hënën te rrethi me flamur në Prishtinë, ku një person ka kërcënuar dy zyrtarë policorë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua në lidhje me këtë rast është Fahri Kajtazi, 43-vjeçar, i cili tashëm ndodhet nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari është kapur me Policinë e Trafikut dhe pas një mosmarrëveshje, situata ka eskaluar ashtu që i njëjti e ka kërcënuar njërin nga policët, duke i thënë se “Plumbin n’kry kam me ta jep”.

Posa panë rrezikun që po u kanosej nga qytetari, policët kërkuan asistencë dhe morën masa parandaluese duke e arrestuar dhe e shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit 43-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Gruaja në Prishtinë ankohet për burrin dhe vjehrrën në Polici, thotë se iu kërkua të dalë nga shtëpia bashkë me fëmijët