Prokuroria Speciale e konfirmon arrestimin e Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

Dy lokacione në Prishtinë janë bastisur të premten, pronë e dy të dyshuarve me inicialet Faruk Mujku kryeshef ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, nën dyshimin për korrupsion derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës dhe Hysen Muzliukajn, këshilltarin politik të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.

Nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës gjatë bastisjes në njërin lokacion, ka gjetur dhe sekuestruar shumën e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë euro.

Prokuroria Speciale njoftoi se ekziston dyshimi se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.

Prokuroria Speciale në maj të vitit 2022 kishte pranuar informacione lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut.

“Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave. Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’”, njoftoi PSRK.

 

 

Lexo edhe:  Aksident në Mazgit, dyshohet për viktima