“E mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës”: Ngritet aktakuzë ndaj 64-vjeçares që vrau kunatën e saj në Dragash

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj 64-vjeçares, Nazire Abdyli, e cila dyshohet se privoi nga jeta kunatën e saj të moshuar, Sahime Domuzet, në fshatin Kuk të Dragashit, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit për media, Prokuroria bën me dije se 64-vjeçarja dyshohet se e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës, e ka goditur atë me një dru të ahut, me një pjesë të laminatit dhe me një copë dërrase të llamperisë.

E ndjera e cila ishte e shtrirë në shtrat në katin e dytë të shtëpisë, pësoi gjakderdhje në tru si shkak i goditjeve.

“Më datë 23.12.2022, rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S.D., e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të pandehurës N.A., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, me një dru të ahut, me një pjesë të laminatit dhe me një copë dërrase të llamperisë, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundi e godet në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi, me datë 26.12.2022  rreth orës 05:30 viktima S.D., vdes”, thuhet në një njoftim për media.

Kujtojmë se Abdyli gjatë intervistimit nga organet e hetuesisë, ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, duke thënë se të moshuarën tashmë të ndjerë, e ka mbytur duke e goditur me mjete të forta.

64-vjeçarja mjetet me të cilat dyshohet se ka kryer aktin makabër, i kishte fshehur në një vend të caktuar, por që tashmë janë gjetur dhe sekuestruar nga organet kompetente në cilësinë e provave materiale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Shtëpi dhe vila qindra mijëra euroshe, Ramush Haradinajt merr pagë edhe si invalid i luftës