Prizrenasi s’e lë rehat ish-bashkëshorten e tij, 29-vjeçarja detyrohet ta kërkojë ndihmën e Policisë

Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Landovicë të Prizrenit, ku një person dyshohet se vazhdimisht ka shqetësuar ish-bashkëshorten e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 29-vjeçarja edhe më parë ishte viktimë e dhunës në familjes dhe si rrjedhojë ishte pajisur me urdhër të mbrojtjes nga Gjykata. Mirëpo, as kjo si duket nuk e ka ndalur të dyshuarin që të tentojë ta mbajë nën kontroll viktimën.

Bazuar në dëshminë e saj, ish-bashkëshorti e ka telefonuar dhe e ka ngacmuar e shqetësuar me fjalë të ndryshme.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj 37-vjeçarit të iniciohet rasti për veprat penale ‘Mospërfillje e Gjykatës’ dhe ‘Dhunë në familje’.

 

Lexo edhe:  Arrestimet e sotme, Osmani: Të presim epilogun, e kemi të pamundur të paragjykohet