Prishtinasi 73-vjeçar e rrah dhe e kërcënon bashkëshorten, ajo kërkon ndihmën e Policisë

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare.

Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua nga Prishtina, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj për dhunën fizike dhe psikike që ia ka shkaktuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se burri i saj e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore, e për të mos mbaruar me kaq, edhe e ka kërcënuar seriozisht.

Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe frikësuar se mund t’i ndodhë diçka më e keqe, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.

Lexo edhe:  Nxënësit e SH.M.U “Mustafë Venhari” ndihmojnë përmes shitjes së kartolinave personat me nevojat të veçanta