Kurti: Vuçiq e Radojçiq si Millosheviqi e Arkani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Al Jazeera, ka thënë se sulmi i së dielës në veri të Kosovës s’ka qenë rezistencë civile apo vepër e bandave, por një sulm i formacioneve të armatosura paraushtrake të pajisura e të përgatitura nga Beogradi, teksa shtoi se një sulm i tillë u krye me urdhër të Serbisë.

I pyetur nëse autoritetet e Kosovës kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulmet e reja, Kurti u përgjigj se ka shumë informacione dhe se këto “grupe të armatosura”, të cilave, siç shtoi ai, Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe “po përgatiten për luftë”.

“Nuk përjashtohet ri-agresioni”, ka thënë ai, duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën.

Ai akuzoi Beogradin dhe grupet e armatosura se duan të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë.

Kurti po ashtu ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, të cilët kanë marrë përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës, janë “Slobodan Millosheviq dhe Zheljko Raznatoviq Arkan” të cilët siç deklaroi Kurti, dëshiron ta kthejë rajonin në vitet e 90-ta, duke shtuar dhe se “grupet paramilitare” në Kosovë janë të lidhura edhe me grupe nga Rusia, si Wagner, duke i quajtur Vuçiqin dhe Radoiçiqin “Putin dhe Prigozin”.

Kryeministri i Kosovës e akuzoi Vuçiqin se “deshi një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.

“Ashtu siç Rusia zhvilloi një luftë hibride në Ukrainë në fillim, Serbia po bën kundër nesh”, tha ai.

Lexo edhe:  Xhelozia mollë sherri mes çiftit në Mitrovicë, 40-vjeçari e rrah bashkëshorten – ajo e denoncon