Policja që la Britaninë e Madhe për Kosovën
Luljeta Mehmeti Quigley është rreshterja e parë në Policinë e Kosovës, e cila menjëherë pas luftës kishte braktisur vendin për të migruar në Britani të Madhe. Derisa, me gjithë privilegjet e mundësitë e mira për jetesë që iu ofruan atje, ajo më pas la Britaninë dhe u kthye në vendlindje për t’i shërbyer prapë Policisë së Kosovës. Kësaj here, ajo me veti mori edhe bashkëshortin britanik, shkruan Kanal10.
Irlanda e Veriut është një prej shteteve më të zhvilluara në kontinentin e Evropës, ku jeta atje të ofron shumë mundësi.
Por, me gjithë privilegjet e të mirat, në kohën kur ka ikje masive të kosovarëve drejt perëndimit, në mesin e tyre, dikush ka zgjedhur t’i braktisë këto mundësi, e të kthehet në Kosovë.
Luljeta Mehmeti Quigley me vete ka marrë edhe bashkëshortin e saj joshqiptar dhe është kthyer për të jetuar e punuar në Kosovë.
Ajo është rreshterja e parë e graduar në Policinë e Kosovës, në të cilin institucion kishte punuar edhe para se të shkonte në Irlandë të Veriut.
Tri vite pas, Luljeta për shkak të martesës me bashkëshortin britanik, kishte vendosur të largohet nga Kosova, e duke e braktisur kështu ëndrrën e saj për t’i shërbyer vendit për disa vite.
Ndonëse, ajo u largua nga vendlindja, zemra dhe mendja e saj nuk e braktisën asnjëherë dashurinë për Kosovën.
Madje, ajo thotë se gjatë qëndrimit atje është munduar të promovojë gjithnjë vlerat e Kosovës, me miqtë e saj.
Derisa, thotë se edhe fëmijëve të saj është kujdesur që t’ua mësojë kulturën shqiptare.
Pas nëntë vitesh, ku punoi si përkthyese në sistemin gjyqësor në Britani të Madhe, në vitin 2013, ajo vendosi të kthehet në vendlindje për ta vazhduar ëndrrën e saj për t’i shërbyer Policisë së Kosovës.
Mehmeti Quigley prej asaj kohe, punon në Drejtorinë e Përgjithshme në Policinë e Kosovës dhe është Shefe e Sektorit për Komunikim e Analizë. /Gazeta10