Policia me operacion në tri barnatore në Pejë, gjen 22 lloje të barnave pa banderola

Në një operacion policor në Pejë janë kontrolluar tri lokacione – barnatore, pasi ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se aty ishin duke u shitur produkte farmaceutike pa banderola dhe të njëjtat produkte dyshohet se ishin sjellë me kontrabandë dhe ishin të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Operacioni ka qenë i koordinuar edhe me Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë.

Gjatë kontrollit në dy biznese nuk janë gjetur parregullsi, ndërsa në biznesin e tretë, në bagazhin e automjetit i cili ishte i parkuar para këtij biznesi, janë gjetur 22 lloje të barnave, gjithsej 561 paketime pa banderola, me prejardhje nga Turqia, njofton Policia.

“Në vendin e ngjarjes nga inspektoret farmaceutik me procesverbal janë konfiskuar sasi e barnave te gjetura”, thuhet në njoftim.

I dyshuari M.B., (viti i lindjes 1992, mashkull kosovar) është shoqëruar në zyrat e NJRHKEK-Pejë, është intervistuar në prezencën e avokatit. Ndaj të dyshuarit janë iniciuar rastet  ’Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’ dhe ‘Tregtia e ndaluar’, ka konfirmuar Policia.

Për rastin është njoftuar prokurori i çështjes nga PTH-Pejë, i cili ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orë për të dyshuarin.

Lexo edhe:  Policia vazhdon t’i “çarmatosë” kosovarët, nëntë armë të konfiskuara vetëm dje