Dyshohet se i dha fund jetës, momenti kur nxirret trupi i pronarit të Shell Kosova

Trupi i pajetë i afaristit, Lulzim Kryeziu, është larguar nga vendi i ngjarjes, ku dyshohet se i dha fund jetës së tij sot në Mleqan të Malishevës.
Pas disa orëve qëndrimi në shtëpinë e të ndjerit, Mjekësia Ligjore ka marrë trupin e tij për të vazhduar me hetimet përkatëse të këtij rasti. Sipas Policisë së Kosovës, Kryeziu është gjetur i varur në një nga objektet e biznesit familjar.

KosovaPress qëndroi në rezidencën e familjes Kryeziu në Malishevë, ku u panë të hynë për ngushëllime familjarë të shumtë të familjes.

Megjithatë të njëjtit nuk pranuan të flasin për rastin para kamerës, por jashtë saj thanë se i ndjeri së fundmi ka pasur disa probleme familjare dhe shëndetësore që kanë mundur të shtyjnë në vetëvrasje.

Në vend të ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe njësitë policore, mirëpo nuk pranuan të japin detaje të reja para mediave.

Rastin gjatë ditës për KosovaPress e ka konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës për rajonin e Gjakovës.

“Sot rreth orës 15:20 kemi pranuar informatë se në Mleqan-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur i varur në një objekt biznesi familjar. Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësorë të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Afaristi Lulzim Kryeziu është djali i biznesmenit Latif Kryeziu nga kompania prestigjioze “SHELL”.

 

 

Lexo edhe:  Vdes në vendin e punës në Gjermani mërgimtari nga Vushtrria