Policia bastis lokacione të familjes Gerbeshi në Vushtrri, arrestohen katër persona
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ka zhvilluar një aksion të gjerë gjatë mëngjesit të sotëm në disa lokacione të komunës së Vushtrrisë, pronë e anëtarëve të familjes Gerbeshi.
Sipas komunikatës së përbashkët, operacioni është realizuar në tri lokacione – dy në fshatin Ropicë dhe një në qytetin e Vushtrrisë. Gjatë këtij aksioni janë arrestuar katër persona.
Tre prej tyre dyshohen për veprën penale “Detyrim”, ndërsa i katërti, i cili ishte në arrati, kërkohej për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa operacioni policor po vazhdon.