Përleshje në Podujevë: Tre vëllezër rrahen mes vete me shkop druri e kaçavidë, përfundojnë në pranga

Pothuajse çdo ditë ndodhin dhjetëra raste të dhunës në familjet në Kosovë, por jo të gjitha denoncohen në Polici. Në shumicën prej tyre gratë janë viktima, por shpesh ndodh që edhe familjarët e tjerë, të përfundojnë të prangosur si pasojë e përleshjeve. Për një rast të tillë që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Dvorishtë të Podujevës, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë të përfshirë tre vëllezër, të cilët kanë përfunduar në ndalim policor, pasi u rrahën mes vete, të hënën mbrëma.

Sipas informacioneve të para, fillimisht dy vëllezërit kanë rrahur me shkop druri vëllain tjetër, e më pas ky i fundit i ka sulmuar me kaçavidë. Për pasojë ata kanë pësuar lëndime trupore, për çka kanë marrë trajtim mjekësor në spital.

Pasi dikush lajmëroi Policinë, një patrullë doli në vendin e ngjarjes, ku të dyshuarit u shoqëruan në stacion policor për intervistim. Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, nën dyshimet për veprat penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në magjistralen Gjakovë-Prizren, dyshohet se një person ka vdekur - pamje