Pejani e rrah nënën e tij, përfundon në polici
Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike.
E një rast i tillë ka ndodhur edhe sot rreth orës 12:00, në fshatin Bllagajë të Pejës, ku një nënë 42-vjeçare e ka denoncuar në Polici djalin e saj 22-vjeçar për dhunë në familje.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë në Pejë bëjnë të ditur se nëna ka rrëfyer në Polici se djali i saj e ka sulmuar atë fizikisht me ç‘rast i ka shkaktuar edhe lëndime në dorën e majtë.
Përveç lëndimit të nënës së vet, 22-vjeçari dyshohet se kishte demoluar edhe orenditë shtëpiake.
Si rezultat i denoncimit dhe pas vlerësimit të dëshmisë së nënës, Policia e ka shoqëruar të dyshuarin në stacion, ku pas intervistimit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit si dhe është iniciuar rast “Dhunë në familje”.