Osmani: Serbia ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për mbrojtjen e lirisë, NATO është me ne

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për dislokimin e forcave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Osmani, teksa është deklaruar për sulmin nga grupi terrorist serb Banjskë të Zveçanit ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, përmes armëve ruse po mendon aneksin e Kosovës, sipas modelit të Krimesë.

“Ka prova të pamohueshme për këtë. Serbia ka kryer akt agresioni më 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke forcuar ushtrinë dhe artilerinë përreth kufirit me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë”, ka thënë Osmani në një intervistë për “La Republica”.

Më tej ajo ka shtuar se “Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe këtë NATO është me ne”.

Uashingtoni zyrtar e cilësoi dislokimin e ushtrisë serbe në kufi përreth Kosovës destabilizues dhe i bëri thirrje Serbisë që të tërheqë forcat ushtarake nga kufiri dhe të ulë tensionet.

Lexo edhe:  Turqia dyfishon eksportin me Kosovën, por kërkohet mbështetje për prodhuesit vendorë