Nxënësi 8-vjeçar në Viti rrëzohet në shkollë, dërgohet me lëndime të rënda në QKUK

Një rast i rëndë ka ndodhur sot në shkollën fillore “28 Nëntori” në fshatin Sadovina e Jerlive në Viti, ku një nxënës i moshës 8-vjeçare është rrëzuar nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore. Për pasojë ai është dërguar në QKUK, ku po merr trajtim mjekësor.

Burime nga Emergjenca kanë bërë me dije për Sinjalin se fëmija është pranuar në këtë qendër gjatë ditës së sotme më lëndime në kokë dhe me thyerje në njërën këmbë, plagë këto që i ka pësuar si pasojë e rrëzimit nga 3 metra lartësi .

Sinjali mëson se nxënësi fillimisht ishte trajtuar në Gjilan, por më pas është transferuar në Prishtinë, për shkak të lëndimeve serioze.

Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur pasi fëmija ka qenë duke qëndruar në shkallët e korridorit në momentin kritik.

Lidhur me incidentin është vënë në dijeni e dhe Policia dhe Prokurori i Shtetit, i cili la urdhëruar inicimin e rastit si “Lëndim i rëndë trupor”.

 

Lexo edhe:  Identifikohen tre të miturit që dogjën derën e Kishës në Prizren, pranojnë fajin