Nxehen gjakrat në trafik: Tre të rinj nga Llapi e rrahin një 30-vjeçar dhe ikin, Policia i zë pas një dite

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë.

Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në rrugën “Bahri Fazliu” në Podujevë dhe këtë herë në rrahje janë përfshirë tre persona, që dyshohet se e sulmuan një person tjetër për shkak të një mosmarrëveshje momentale derisa ishin në trafik.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se fillimisht palët janë kapur mes vete verbalisht dhe më pas të dyshuarit e kanë rrahur viktimën, e më pas kanë ikur.

Sinjali mëson se si rezultat i denoncimit, Policia u aktivizua dhe ka arritur t’i arrestojë të dyshuarit, të cilët më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tyre dhe inicimin e rastit për veprën penale “Sulmi”.

Lexo edhe:  17 vjeçari kosovar mbetet i ngujuar qe 1 vit, shkaku i gjakmarrjes detyrohet ta ndalë shkollimin!