NjRSh i kap në flagrancë dy 19-vjeçarë në Prishtinë, iu gjejnë armë e thikë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të martën te rrethi i Maxit24 në Prishtinë, ku Njësia e Reagimit të Shpejtë po patrullonte në atë pjesë ka ndalur për kontroll një motoçiklist.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, te shoferi është gjetur një armë pa leje, kurse shokut të tij ia gjetën një thikë.

Pas përfundimit të kontrollit policor, arma dhe mjeti i mprehtë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari kryesor është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  “Kur t’shkojsh me lind, kom me ta bo ma zi se Hamide Magashit” - Llapjani kërcënon gruan e tij shtatzënë, shpallet në kërkim policor