Grabitje në pompën ‘Stella Petrol’ në Prishtinë, hajnat e maskuar dhe të armatosur marrin qindra euro

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në pompën e derivateve ‘Stella Petrol’ në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë.

Sinjali mëson se tre persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur që t’i marrin mbi 400 euro që ndodheshin në arkën e pompës, e më pas janë zhdukur.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar dy punëtorë të kompanisë, të cilët kanë deklaruar se të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje e armatosur’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Në Prishtinë e Gjilan bie shi i përzier me baltë, kjo është arsyeja