Një numër punonjësish në sektorin publik do të marrin paga më të vogla

Në vitin e dytë që prej hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga, pritet që të ketë zvogëlim të të ardhurave për një numër punonjësish në sektorin publik. Grupit që kanë realizuar “paga të mëdha” u janë zvogëluar aty qysh me hyrjen në fuqi të ligjit, por që kanë vazhduar të realizojnë të ardhura të njëjta shkaku i një shtese tranzitore në vlerë 100 për qind të dallimit në pagë. E nga një janari, ata do ta marrin vetëm gjysmën e shtesës

Nga janari, koeficienti i pagës në sektorin publik do të rritet për 5 euro, por të ardhurat do t’u zvogëlohen punonjësve të këtij sektori që kanë “paga të mëdha”.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për paga, një numri punonjësish i është zvogëluar pagesa, por që kjo nuk është ndier në vitin e parë shkaku se dallimi i të ardhurave është mbuluar me shtesën tranzitore që e kanë marrë në vlerë 100 për qind. Por, nga një janari i 2024-s, do ta marrin këtë shtesë vetëm në masën 50 për qind, e nga janari i 2025-s do të mbeten pa shtesë fare.

Kësisoj, një punonjësi që i është ulur paga për 100 euro, nga viti i ardhshëm do të realizojë të ardhura mujore për 50 euro më pak.

Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës, ka thënë se kjo do të afektojë një numër të madh të punonjësve në sektorin publik, duke përfshirë profesorët universitarë, një pjesë e stafit drejtues të policisë, zyrtarë të ministrive, zyrtarë të Zyrës së Auditorit të Jashtëm, por edhe auditorë të brendshëm.

“Kjo për ne si sindikatë, edhe atëherë, edhe tash është e papranueshme, pasi një e drejtë e fituar është absurditet që pas disa vitesh të tentohet të ulet. Qëllimi kryesor i Ligjit të pagës është që të rriten pagat dhe konsideroj që si kurrë më parë Kosova ka nevojë të rritë paga duke e pasur parasysh trendin e ikjes që është alarmant, por njëkohësisht ne duhet t’i promovojmë edhe të gjitha kategoritë profesionale”, ka thënë Gashi.

Lexo edhe:  Mërgimtarja nga Suedia kërkon ndihmën e Policisë, thotë se burri po e kërcënon dhe shantazhon

Ligji për paga është dërguar në Gjykatën Kushtetuese në prill të këtij viti. Atë e ka atakuar Institucioni i Avokatit të Popullit, pas kërkesave të shumta që ka pranuar.

Avokati i Popullit ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të fokusohet te pozicionet të cilave u është ulur paga.

“Avokati i Popullit thekson se çështja e ngritjes së pagave nuk përbën çështje kushtetuese, mirëpo ulja e pagave përbën çështje kushtetuese, prandaj kërkon nga Gjykata Kushtetuese të fokusohet te pozicionet që u është ulur paga, vërtetimin e të cilave mund ta realizojë përmes shikimit të listave të pagave, të cilat i posedon Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhet në kërkesën e Avokatit të Popullit.

E Gashi shpreson që Kushtetuesja të sjellë një verdikt për këtë çështje dhe pikat e tjera të kontestuara në ligj.

“Ky ligj ka shumë mangësi, pasi përveç uljes së pagave, kjo Qeveri ka prekur edhe te përvoja e punës, ku ka bërë përshkallëzimin e saj deri në 15 vjet përvojë, ndërsa mbi 15 vjet 0.5 për qind përvojë. Kjo është e papranueshme për ne, duke qenë se edhe kjo e drejtë ka qenë e rregulluar dhe unë besoj fuqishëm që Gjykata do t’u japë të drejtë ankesave të bëra nga ne si sindikata, por edhe nga institucionet e tjera”, ka thënë ai.

Edhe Avokati i Popullit në lëndën që e ka dorëzuar në Kushtetuese, ka konsideruar se ulja e pagave pa një arsyetim të detajuar dhe pa u plotësuar kriteri i krizës ekonomike, si dhe veprimi retroaktiv i llogaritjes së shtesës së pagës në bazë të përvojës, kanë ndikuar në zvogëlimin e të hyrave tek punëtorët të cilëve u është zvogëluar paga.

“Të gjithë të tjerëve të cilëve u është mohuar e drejta në shtesën në bazë të përvojës së punës, të cilën e kanë fituar gjatë viteve të kaluara, përkatësisht kanë ndikuar në cenimin e pronës së punëtorëve të cilët janë afektuar nga Ligji i kontestuar”, ka konstatuar ky institucion.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit gjatë vikendit

Gjykata Kushtetuese nuk e ka dhënë ende verdiktin për Ligjin për Paga, i cili ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti.

Koeficienti i pagës është përcaktuar me Ligjin për Buxhetin e sivjetmë, ndërsa vitin e ardhshëm vlera e tij do të rritet nga 105 në 110 euro.