Dhunë në një familje në Shtërpcë: I riu i dehur rrah nënën dhe demolon shtëpinë, sulmon edhe policët

Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha të rinjve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar problem. Abuzimi me pije alkoolike është edhe një ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familje, ku shpeshherë viktima janë edhe prindërit që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në fshatin Sevcë të Shtërpcës, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se 27-vjeçari nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht nënën e tij dhe ka demoluar orenditë shtëpiake.

Me t’u denoncuar rasti nga kryefamiljari, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në të dyshuarin i cili kishte  sjellje agresive dhe nuk i është bindur urdhrave të Policisë.

I njëjti madje dyshohet se ka sulmuar fizikisht edhe zyrtarët policorë që intervenuan në rast.

Si pasojë e dhunës, 62-vjeçarja dhe zyrtari policor i lënduar janë dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arritur që të arrestohet.

I riu është intervistuar nga organet e hetuesisë dhe me urdhër të prokurorit më pas është dërguar në mbajtje si i dyshuar për dy veprat penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.

Lexo edhe:  Mëngjesi nis me aksidente, rrokulliset vetura në Carrabreg të Deçanit