Nis heqja e barrikadave në veri të Kosovës

Në fshatin Rudarë, që gjendet në veri të Kosovës, ka nisur heqja e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.

Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica dhe nëpër të kalon magjistralja për në pikën kufitare të Jarinjës.

Rrugët që çojnë për në Jarinjë dhe Bërnjak – pikëkalimet që lidhin Kosovën dhe Serbinë – u bllokuan nga serbët lokalë, në kundërpërgjigje të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Ekzekutivi ka thënë se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumenteve serbe, kur të largohen të gjitha barrikadat në veri.

Në mëngjesin e 1 gushtit, nga Policia e Kosovës konfirmuan se bllokadat ende ishin të vendosura.

“Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur asgjë. Barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë”, tha për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

Lexo edhe:  Vendet që do mbesin pa rrymë sot deri në 7 orë