Në pritje të fëmijës së gjashtë, gruaja në Fushë Kosovë raporton dhunën e burrit narkoman – kërkon ndihmë

Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një ndër dukuritë më shqetësuese në vend.

Viktimat më të shpeshta janë gratë të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Ato madje nuk ‘kursehen’ nga sulmet as gjatë muajve të shtatzënisë, duke qenë kështu në rrezik të madh.

Kështu ka ndodhur edhe me një 29-vjeçare shtatzënë në Fushë Kosovë, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka raportuar se bashkëshorti ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës, e cila është në pritje të fëmijës së gjashtë, me burrin në vazhdimësi kanë pasur konflikte për shkak të moskujdesit të tij për familjen.

Mosmarrëveshjet mes tyre dyshohet se kanë eskaluar edhe në dhunë fizike, për çka 29-vjeçarja rrëfeu në Polici.

Ndër të tjera, burimet thonë se viktima e ka zbuluar se bashkëshorti i saj është edhe përdorues i substancave narkotike.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i njëjti të dërgohet në mbajtje për 48 orë dhe të iniciohet rasti ndaj tij

Lexo edhe:  LAJMI I FUNDIT: Aeroporti “Adem Jashari” kërcënohet me bombë