Murati përgjigjet ndaj kritikave për koeficientin: E kemi llogaritur mirë, s’ka vend për hamendësime as paushallitet

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u është kundërpërgjigjur kritikave të partive opozitare lidhur me vlerën e koeficientit të pagave prej 105 eurove, që opozita e konsideroi të ulët.

Murati, në kundërpërgjigje tha se vlera e koeficientit është llogaritur mirë, derisa shtoi se ata që flasin për shifra tjera, nuk e dinë ndikimin buxhetor, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Çka ka qenë e radhës që kjo të përpjesëtohet me buxhetin e alokuar për pagat në mënyrë që të nxirret vlera për një koeficient, është vlerë e llogaritur dhe nuk ka as hamendësim as paushallitet. Ata që flasin për shifra 120 herë 125 e 139 e 132 ata flasin për shifra paushallë pa e ditë për ndikimin buxhetor”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

Ministri Hekuran Murati ka dhënë edhe detaje për llogaritjet e Qeverisë së Kosovës për ta vendosur vlerën e koeficientit 105 euro.

“Bëhet fjalë për përcaktimin e vlerës së koeficientit që i ngërthen dy ligje ligjin e buxhetit dhe ligjin e pagave. Ligji i Pagave ka kaluar që dy muaj, aty janë përcaktu nivelet për secilin pozitë sa është niveli i koeficienteve për secilën pozitë, dikuj i është caktuar 5 dikuj 6 e kështu me radhë”, ka thënë ai.

“Çka na ka mbetur neve është që të marrin nga të gjitha organizatat buxhetore. Këtë e ka bërë MPB, ka kërku klasifikimin e të gjitha pozitave, qoftë komunat qoftë ministritë kanë dorëzu listat për të tregu sa persona kanë funksion me koeficiente ta zëmë 6 a po 7 e kështu”, ka vijuar Murati.

Sipas Muratit, me koeficientin e ri, vlera totale e buxhetit për paga shkon përmbi 740 mijë euro, derisa shtesat janë diku 12% e pagës bazë.

“Vlera totale e buxhetit është 745.5 milionë euro, kurse shtesat përafërsisht janë diku 12% e pagës bazë 105.5 milionë euro. Në vitin e kaluar shpenzimet për paga ka qenë 640 milionë euro. Shpenzimi pa shtesa të pandemisë ka qenë 640 milionë për paga të rregullta”, ka thënë ai

Lexo edhe:  ‘Ndalo se e vrave’, zbardhet dëshmia e babait të Jonadës: Skafi erdhi drejt nesh, e preu vajzën në të gjithë trupin