Memli Krasniqi: Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku, pushteti e do policinë vetëm për mburrje

Pas refuzimit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në seancën ku do të votohej Rezoluta për Policinë e Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se pushteti e do policinë vetëm për mburrje.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, theksoi se sot, për herë të dytë brenda një jave, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila, me miratimin e saj, do të ndihmonte shpejtë dhe konkretisht Policinë e Kosovës.

“Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar kreu i PDK-së.

Krasniqi tha se PDK nuk do të ndalet dhe do të insistojë, përmes të gjitha mënyrave dhe mekanizmave që këtë Rezolutë të miratohet.

“Shtesat për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe miratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm – janë më të paktat që meritojnë policët tanë”, është shprehur Krasniqi.

Lexo edhe:  Vdes në moshë shumë të re, Jashar Mehanja - Policia e konsideron "të dyshimtë"