Ngjarje e rëndë në Podujevë: Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar, dyshohet se i dha vetë fund jetës

Një rast mjaft i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Peran të Podujevës, ku një person është gjetur pa shenja jete dhe sipas informacioneve të para dyshohet të ketë kryer vetëvrasje, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 68-vjeçar i cili për motive akoma të panjohura i ka dhënë fund jetës duke u varur me litar në shtëpinë e tij.

Sipas burimeve të Sinjalit nga Emergjenca, bëhet e ditur se vdekja e viktimës është konfirmuar nga ekipi i mjekëve që ka dalë në vendin e ngjarjes, ku pas ekzaminimeve për shenja vitale, mjeku ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.

Ndërkohë që ende nuk janë të njohura motivet e rastit, edhe Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Në vendin e ngjarjes ka arritur ekipi i IML i cili e ka marrë trupin e pajetë të viktimës dhe e ka dërguar në Institut për obduksion.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është inicuar si “Vdekje e dyshimtë”.

Lexo edhe:  Së shpejti një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit