Lëndohet një punëtor në ‘Bondsteel’, dërgohet në QKUK

Lëndimet e punëtorëve në vendet e punës janë të shpeshta, duke bërë kështu që ata të kërkojnë ndihmë mjekësore në spital.

Si rrjedhojë e kësaj, njoftohet edhe Policia të cilët me anë të veprimeve hetimore tentojnë të hedhin dritë mbi rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.

Për një rast të tillë që ka ndodhur sot në mesditë në fshatin Sojevë të Ferizajt, saktësisht në kampin ‘Bondsteel’, Prokuroria ka nisur hetimet.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës së Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj bëjnë me dije se një 56-vjeçar është dërguar atje me lëndime në këmbë, për shkak se ishte rrëzuar në vendin e tij të punës.

Pas dhënies së ndihmës së parë, për shkak të natyrës së lëndimeve, ai është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe të njëjtit kanë njoftuar edhe Inspektoratin, mirëpo të njëjtit nuk kanë kompetenca për të vepruar në kampin ‘Bondsteel’.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

Lexo edhe:  Snajperistët e FSK-së arrijnë rezultate të larta në Turqi