E tmerrshme: Rihapet sërish grupi që terrorizon vajzat “Albkings” – Anëtarësohen mbi 30 mijë persona

Para pak ditësh u arrestua njëri nga adminët e grupit “Albkings” – grup në rrjetin social “Telegram” i cili numëronte rreth 100 mijë anëtarë.

Para gjykatës dje doli njëri nga adminët e këtij grupi Edin Nevzati – i cili dyshohet ka postuar rreth 400 foto dhe video në grupin që është administruar nga ai. Edin Nevzati është njohur me nofkën “Freekiller”.

Por, sërish është hapur një grup me të njëjtin emër në rrjetin social “Telegram”.

Aktualisht ai përmban mbi 33 mijë anëtarë në grupin e ri.

“Shpërndane lajmin te krejt shoqnia se Albkings u kthy në Telegram”. Ky është informacioni që jepet për rikthimin e grupit ku shpërndahen fotografi dhe video intime të vajzave.

Në këto grupe dërgohen imazhe denigruese, intime të vajzave e grave, si dhe të dhënat personale të tyre, numrat, vendbanimi, llogaritë e tyre nëpër rrjetet sociale. Madje, atyre u vendoset edhe çmimi për shërbime seksuale.

Të mërkurën, Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji kundër Nevzatit.

Ai dyshohet për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.

“I pandehuri E.N dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit ‘Albkings’ në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave, si dhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore në grupin ‘Albkings’ në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit siç janë emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Lexo edhe:  Ish-kryeshefi i KRM “Uniteti” deklarohet i pafajshëm se punësoi 70 punëtorë pa konkurs publik

Ndërkaq, Prokuroria Themelore u ka bërë thirrje viktimave të këtij grupi që me qëllim të bashkëpunimit të paraqiten në Polici.