Lëndohet një i ri në vendin e punës në Ferizaj, substanca kimike i ra në sy – dërgohet me urgjencë në QKUK

Nuk janë të rralla rastet kur punëtorët dërgohen me urgjencë në spital për shkak të lëndimeve që marrin në vendet e tyre të punës. E një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Komogllavë të Ferizajt.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së spitalit rajonal në Ferizaj, kanë bërë të ditur se atje është dërguar një 25-vjeçar i cili kishte marrë lëndime teksa po punonte në një fabrikë me substanca kimike për trajtimin e ujit.

Të riut aksidentalisht i ishte hapur një kavanoz ku mbahej një substancë e tillë, e cila i kishte rënë në sy, duke i shkaktuar kështu lëndime serioze.

Sipas burimeve ai ka marrë ndihmën e parë në Ferizaj e më pas është udhëzuar që të dërgohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Për këtë është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët bashkë me inspektorët e punës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që çojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

Lexo edhe:  Humb jetën edhe personi i dytë nga aksidenti fatal që ndodhi pa dy dite