Lëndime të rënda në dorë, viktima e lëndimit në vendin e punës në Prizren është grua

Më parë u raportua për një rast të rëndë që ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, ku një person është lënduar në vendin e punës në fabrikën ‘Sat Styro’ dhe si pasojë është dërguar me urgjencë në spital.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se viktima është e gjinisë femërore dhe e njëjta është dërguar atje me lëndime në dorë.

Sipas të njëjtave burime, pas ekzaminimeve mjekësore është parë se viktima ka pësuar prerje në duar dhe pas intervenimit të stafit shëndetësor gjendja e saj është stabilizuar.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, konfirmoi për Sinjalin se pronarët e fabrikës ‘Sat Styro’ janë intervistuar dhe me urdhër të prokurorit rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’.

“Hetuesit së bashku me Prokurorin ka nis hetimet dhe rasti po trajtohet si lëndim i rëndë trupor. Policia ka njoftuar edhe Inspektorët e Punës të cilët kanë dalë tek fabrika dhe e kanë bërë shkimin e vendit të ngjarjes. Pronarët e fabrikës janë intervistuar dhe sipas vendimit të Prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, tha Gashi.

Lexo edhe:  Arrestohet shoferi i veturës që shkaktoi mbrëmë aksidentin me 3 të vdekur