LAJMI I FUNDIT: Hyjnë në grevë punëtorët e flotacionit të Trepçës në Kishnicë

Të gjithë punonjësit e Flotacionit të Minierës së Kishnicës kanë hyrë në grevë me kërkesë nivelizimin e pagave në nivel të kombinatit dhe rikthimin e të hollave për shujtë. Drejtori i Minierës, Hysni Beqiri, e ka mohuar grevën, raporton teve1.info

Sipas Nënkryetarit të Sindikatës së punëtorëve të Minierës, Xhevdet Zymberi, greva ka filluar të martën derisa e njëjta do të vazhdoj deri ën realizimin e kërkesave të tyre.

“Prej dje jemi në grevë. Kërkesat tona janë nivelizimi i pagave në nivel të kombinatit, për të njëjtën punë që bëhet në tunelin e parë me qenë të barabarta pagat. Për momentin është kjo kërkesë”, është shprehur Zymberi, derisa ka shtuar se kërkesa e tyre për vitin 2022 ka qenë edhe pagesa e shujtës, e cila tha se iu është ndaluar punëtorëve që nga shkurti i vitit të kaluar.

“Premtimet kanë qenë për vitin 2022, me u hapë mensa dhe mos me u ndalë paret e shujtës, se ne i kemi pas paret e shujtës, muajin e parë i kemi marrë të dytin jo dhe kjo është kërkesë e jona.
Këtë vit kemi pas me bisedu për nivelizim të pagës por jo me na i hejkë paret e bukës”, ka deklaruar Zymberi.

Ai tha për Tëvë1 se si Sindikatë presin prej menaxhmentit derisa ata të kthejnë një përgjigje, nëse kjo nuk ndodhë, sipas tij, do të marrin masat tjera.

“Jemi krejt punëtorët në grevë, por këtu janë vetëm punëtorët e prodhimit dhe mirëmbajtjes sepse sektorët tjerë janë në vendet e tyre të punës. Greva është e ligjshme sepse të enjten i kemi dërguar kërkesat tona tek Xhevdet Tahiri sepse drejtori ka qenë i zënë, Zhevdet Tahiri është përfaqësuesi jonë në bord”, tha ai.

Lexo edhe:  Vdes papritmas zyrtari korrektues nga Vushtrria  

Mirëpo, vet drejtori i Minierës, Hysni Beqiri ka mohuar se punëtorët kanë hyrë në grevë.

“Na nuk jemi në grevë. Ekzistojnë dy kërkesa të Flotacionit të Punëtorëve në Kishnicë. Kërkesa e parë është për nivelizimin e pagës me Flotacionin në tunelin e parë, edhe kërkesa e dytë është për kualifikimin e punëtorëve për vendin e tyre të punës”, tha ai.

Sipas tij, kërkesa është bërë nga e premtja.

“Kërkesa si e tillë është në fazën e shqyrtimit, e njëjta ka shku të premten dhe po presim”, deklaroi drejtori.

“Punëtorët janë në punë nga dje po punohet normalisht dhe nuk janë në grevë, edhe sot po punohet”, është shprehur Beqiri.